Një shëtitje turistike familjare në New York përfundoi në tragjedi, pasi një helikopter u rrëzua në lumin Hudson, duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave, përfshirë një biznesmen të njohur dhe familjen e tij.
Piloti i helikopterit kishte paralajmëruar për mungesë karburanti vetëm pak minuta para rrëzimit, sipas një thirrjeje radiofonike të zbuluar së fundmi. Viktimat janë identifikuar si Agustín Escobar, president i degës spanjolle të Siemens, bashkëshortja e tij dhe tre fëmijët e tyre. Piloti, i cili ende nuk është identifikuar zyrtarisht, po ashtu humbi jetën.
Incidenti ndodhi të enjten rreth orës 15:15, vetëm pak minuta pasi helikopteri ishte nisur nga qendra e Manhatanit. Sipas Michael Roth, pronar i kompanisë “New York Helicopter” që operonte fluturimin, piloti kishte sinjalizuar për ulje të menjëhershme për shkak të mungesës së karburantit.
“Ai njoftoi se kishte nevojë për karburant dhe do të duhej të ishte ulur brenda tre minutave. Por 20 minuta më vonë, nuk kishte mbërritur ende,” tha Roth për The Telegraph. Ai shtoi se e kuptuan tragjedinë kur një nga pilotët e tjerë pa helikopterin të fundosej në ujë.
“E gjithë kompania është e shkatërruar. Çdo punonjës ndien këtë humbje thellësisht,” tha Roth.
Hetimet për shkakun e saktë të aksidentit janë në vazhdim nga autoritetet amerikane të aviacionit.