Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin në Bavari, Gjermani, ku një 19-vjeçare është arrestuar nën dyshimin se ka therur me thikë një adoleshent 15-vjeçar, pas një grindjeje të shkaktuar nga një cigare.
Sipas mediave lokale dhe informacioneve nga policia, incidenti ndodhi rreth orës 21:30 të së shtunës në stacionin e trenit, menjëherë pas përfundimit të një festivali lokal të qitjes ku të dy të rinjtë ishin pjesëmarrës. Të rinjtë, që nuk njiheshin më parë dhe ishin pjesë e grupeve të ndryshme shoqërore të moshës 15-20 vjeç, u përfshinë në një sherr për një cigare, i cili eskaloi shpejt në dhunë fizike.
Hetimet paraprake zbulojnë se 19-vjeçarja ka goditur viktimën në qafë me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. Policia tha se e reja kishte histori kriminale të mëparshme dhe ishte nën hetim për vepra të ndryshme, përfshirë dëmtime trupore dhe krime kundër pronës.
Ekspertët e kriminalistikës kaluan orë të tëra në vendin e ngjarjes duke mbledhur prova dhe duke siguruar armën e krimit, e cila u gjet pranë skenës së sulmit. Një njësi speciale e hetimeve penale nga Ansbach mori përsipër çështjen, ndërsa gjykata në Nürnberg lëshoi urdhër-arrest për të dyshuarën për shkak të dyshimit të vrasjes së rëndë.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në komunitetin lokal, teksa hetimet vazhdojnë për të zbuluar më shumë detaje mbi ngjarjen.

