TIRANË– Kryetari i Lëvizja Bashkë, Arlind Qori ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ku ka folur sa i takon protestës për rastin e policit Azbi Spahiu, që u hodh nga lartësia.
Ndër të tjera ai sqaroi një incident në protestë, me Adriatik Lapajn.
“Që në fillim të protestës vjen një djalë trupmadh dhe bërtiste kush janë këta që organizojnë protesën, duke na sharë etj. I themi policisë ju lutem shoqërojeni, sepse po provokon. Më në fund policët e shtyjnë jashtë. Vijon protesta me thirrje dhe fjalime. Kishim rend të fjalimeve, unë e kisha radhën i katërti. Gjatë fjalimit tim ishte afruar zoti Lapaj me disa mbështetës të tij. Kemi thënë çdo qytetar të shënojë emrin në listë dhe të flasë sa të dojë. Vjen zoti Lapaj dhe donte mikrofonin me dhunë. Redi Muçi i thotë ka rregulla dhe radhë, fol me radhë, sepse do të flasë Qani Shino, minator dhe pensionist. Nuk shkulej zotëria, bërtiste, provokim i padëgjuar. Edhe Flamur Noka duket xhentëllmen para kësaj. Të shkosh në protesën e një partie dhe të tentosh të marrësh fjalën me dhunë, nuk ka ndodhur në 34 vite pluralizëm, që përfaqësues i një partie të vijë në tubimin e një partie tjetër dhe të marrë mikrofonin me dhunë. Dyshoj se Samir Mane siç paguan Edi Ramën dhe Berishën, mund ta ketë paguar edhe zotërinë.”-shprehet Qori./Radar.al

