Site icon Informohu siç duhet

Sherr për ‘faqen që turpëronte minorenët’, 17-vjeçarja që e menaxhonte përfundon në urgjencë

Një ngjarje e rëndë është shënuar pasditen e sotme në bulevardin “Republika” në Korçë, ku një 17-vjeçare ka mbetur e plagosur pas një sherri mes disa vajzave pranë një lokali.

Sipas burimeve paraprake, konfliktit verbal i ka paraprirë një përplasje për shkak të një faqeje në Instagram, e dyshuar për publikimin e materialeve fyese dhe denigruese ndaj të miturve në zonën e juglindjes. E plagosura, e identifikuar si P.M., dyshohet të jetë administratore e kësaj faqeje së bashku me një shtetase tjetër.

Gjatë konfliktit, një nga vajzat e përfshira, shtetasja F.D., dyshohet se ka goditur P.M.-në në fytyrë me një gotë qelqi, duke i shkaktuar dëmtime që kërkuan ndërhyrje mjekësore. E dëmtuara ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet në spitalin e Korçës.

Policia ka shoqëruar disa persona të përfshirë në konflikt – dy vajza dhe një djalë – ndërsa autorja e dyshuar e dhunës është ende në kërkim. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Exit mobile version