Shërbimet amerikane të inteligjencës paralajmërojnë se presidenti rus Vladimir Putin mbetet i përqendruar në pushtimin e plotë të Ukrainës dhe në rikthimin e kontrollit mbi territore që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik.
Sipas këtyre vlerësimeve, objektiv potencial përfshijnë edhe shtetet baltike, të cilat aktualisht janë anëtare të NATO-s, raportojnë mediat ndërkombëtare, përfshirë Reuters.
Raportet theksojnë se, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për të ndalur luftën, nuk ka shenja se Kremlini ka synim ta përfundojë konfliktin. Përkundrazi, inteligjenca amerikane vlerëson se udhëheqja ruse vazhdon të ndjekë objektiva territoriale afatgjata.
Këto vlerësime bien ndesh me deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump dhe përfaqësuesve të tij, të cilët kanë pohuar se Putin është i interesuar për përfundimin e luftës. Po ashtu, raportet kundërshtojnë deklaratat e vetë Putinit se Rusia nuk përbën kërcënim për Evropën.
Ndërkohë, shefi i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, ka deklaruar se Rusia mund të ndërmarrë sulme ndaj vendeve baltike deri në vitin 2027, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon.

