Një tjetër grup emigrantësh të transferuar nga Italia kanë shkelur sot në Shëngjin.
Burimet bëjnë me dije se mëngjesin e sotëm, anija “Spica” e Marinës Ushtarake italiane u nis nga porti i Brindisit me afro 30 emigrantë në bord, me destinacion Qendrën për Qëndrim të Përkohshëm në Gjader.
Në mesin e tyre mësohet të jenë shtetas nga vende të ndryshme. Ndërsa bëjmë me dije se kjo mbetet dërgesa e katërt nga Italia që prej fillimit të zbatimit të marrëveshjes Itali-Shqipëri.
Sipas Ministrisë së Brendshme italiane, me mbërritjen e këtij grupi, numri i të pranishmëve në strukturën shqiptare është diku 50. Ndërsa aktualisht janë deportuar 30 persona nga kjo qendër.
Në ditët në vijm pritet vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së mbi vlefshmërinë ligjore të ndalimeve të emigrantëve të shpëtuar në Mesdhe dhe të dërguar në Shqipëri. Kjo pas dërgimit të kërkesave paraprake nga Gjykata e Romës, që deri më tani nuk ka njohur legjitimitetin e ndalimeve për këta shtetas pasi janë konsideruar se ata vijnë nga vende “të sigurta”, si Egjipti dhe Bangladeshi.

