Moti i keq ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonat malore të Mirditës, ku disa fshatra vijojnë të jenë të izoluar për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe problemeve të shumta në infrastrukturë.
Në fshatin Jezull është shembur ura që e lidh me rrugën kryesore, duke bllokuar çdo lëvizje të banorëve dhe duke ndërprerë transportin e fëmijëve drejt shkollës. Sipas Njësisë Administrative Fan, dy fshatra të tjerë janë të bllokuar nga rrëshqitjet, ndërsa dëmtime janë konstatuar edhe në disa ura pasarelë të zonës.
Fshatrat Shëngjin dhe Klos janë aktualisht të izoluar, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme. Probleme të rënda janë raportuar edhe nga Njësia Administrative Kurbnesh, ku rruga kryesore që lidh zonën me Lurën është bllokuar tërësisht. Edhe disa fshatra përreth njoftojnë ndërprerje të qarkullimit.
Situata mbetet e vështirë edhe në Orosh dhe Kaçinar, ku prurjet e mëdha dhe shembjet kanë dëmtuar rrugë dhe ura pasarelë, duke e bërë të pamundur lëvizjen e banorëve.
Autoritetet vendore pritet të ndërhyjnë me mjete të posaçme për të hapur rrugët dhe për të normalizuar situatën në komunitetet e prekura.

