Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur masa të reja dhe të ashpra ndaj individëve dhe subjekteve që kërcënojnë stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Vendimi bazohet në ligjin e miratuar më 7 dhjetor në Kongresin amerikan, konkretisht Seksionin 8335, i cili u jep autoriteteve amerikane kompetenca të zgjeruara për të bllokuar pasuritë dhe për të ndaluar hyrjen në SHBA të personave që veprojnë kundër interesave të paqes dhe sigurisë në rajon.
Sanksionet do të aplikohen ndaj individëve të përfshirë në korrupsion, shkelje të të drejtave të njeriut, pengim të marrëveshjeve të paqes apo kërcënim të integritetit territorial të vendeve të Ballkanit. Dokumenti përmend në mënyrë specifike Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen e Ohrit, Rezolutën 1244 të OKB-së, Marrëveshjet e Dejtonit dhe vendimet e Konferencës së Londrës.
Masat përfshijnë ngrirjen e çdo pasurie që personat e sanksionuar mund të kenë në territorin amerikan, si dhe ndalimin e plotë të hyrjes në SHBA. Çdo vizë ekzistuese do të revokohet menjëherë, ndërsa dokumentet e tjera të udhëtimit do të anulohen automatikisht.
Zyrtarët amerikanë theksojnë se këto sanksione shërbejnë si një paralajmërim i fortë për aktorët destabilizues dhe riafirmojnë angazhimin e SHBA-së për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor.


