Administrata e Ushqimit dhe Barnave në SHBA (FDA) po zhvillon një takim kyç me ekspertët e saj këshilltarë për të vendosur nëse vaksinat kundër COVID-19 duhet të përditësohen për sezonin e ardhshëm vjeshtë-dimër. Ky diskutim vjen në një moment kur një politikë e re e administratës Trump ka sjellë konfuzion dhe pikëpyetje të mëdha mbi qasjen ndaj përforcuesve (Booster).
Sipas ndryshimeve të fundit, përforcuesit nuk do të rekomandohen më për të gjithë qytetarët mbi moshën 6 muajsh, por vetëm për grupet me risk të lartë, si të moshuarit dhe ata me probleme shëndetësore. Kjo ka shkaktuar paqartësi nëse të rriturit e shëndetshëm apo fëmijët do të kenë ende akses në vaksinë – dhe nëse siguruesit do të vazhdojnë të mbulojnë kostot jashtë rekomandimit zyrtar.
“Po kërkojmë të vendosim nëse duhet të përditësojmë përbërjen e vaksinës për të adresuar variantet e reja të virusit,” deklaroi Vinay Prasad, drejtues i sektorit të vaksinave në FDA. Ai shtoi se agjencia është e hapur për komente nga publiku dhe dëshiron të qartësojë politikën e re përpara fillimit të sezonit të ftohtë.
Ndërkohë, ekspertë si Michael Osterholm paralajmërojnë për pasojat e mundshme të kësaj qasjeje të re, duke theksuar rrezikun që prindërit të përballen me pengesa nëse duan të vaksinojnë fëmijët e tyre.
Ky debat pritet të ndikojë ndjeshëm në fushatën e vaksinimit këtë vjeshtë dhe në mënyrën se si amerikanët e perceptojnë nevojën për mbrojtje të vazhdueshme ndaj COVID-19.

