Kremlini ka reaguar me shqetësim ndaj mundësisë që Shtetet e Bashkuara t’i furnizojnë Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi Tomahawk, duke paralajmëruar se një hap i tillë do të përbënte “një përshkallëzim dramatik” të konfliktit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për televizionin shtetëror rus se “çështja e Tomahawk-ëve po shkakton shumë shqetësim”, duke shtuar se tensionet “po përshkallëzohen nga të gjitha anët”.
Sipas Peskov, Moska e sheh si kërcënim të drejtpërdrejtë faktin që disa versione të raketës Tomahawk mund të mbajnë edhe koka bërthamore.
“Vetëm imagjinoni: një raketë me rreze të gjatë veprimi lëshohet dhe ne e dimë se mund të jetë bërthamore. Si duhet të reagojë Rusia?”, u shpreh ai.
Raketat Tomahawk kanë një rreze veprimi prej rreth 2,500 kilometrash, çka do t’i mundësonte Ukrainës të godasë objektiva në thellësi të territorit rus – madje edhe afër Moskës.
Tensionet u ndezën pas një bisede telefonike mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës presidenti amerikan konfirmoi se po shqyrton mundësinë e dhënies së raketave Kievit, duke theksuar megjithatë se “nuk dëshiron që lufta të përshkallëzohet”.
Ndërkohë, Vladimir Putin ka paralajmëruar se përdorimi i Tomahawk-ëve nga Ukraina “nuk është i mundur pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të personelit amerikan”, duke shtuar se një lëvizje e tillë “do të hapte një fazë të re të konfliktit”.