Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar zhvillimin e raundit të dytë të bisedimeve me Iranin, në kuadër të përpjekjeve diplomatike mes dy vendeve.
Sipas raportimeve, një delegacion amerikan pritet të marrë pjesë në negociata në Pakistan, ku përfshihen i dërguari special i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, si dhe Jared Kushner. Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance nuk do të jetë pjesë e këtij raundi bisedimesh.
Nga pala iraniane, në takime pritet të marrë pjesë edhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, i cili sipas mediave shtetërore është nisur drejt Pakistanit.
Shtëpia e Bardhë bën të ditur se Irani ka kërkuar zhvillimin e takimeve të reja ballë për ballë, në kuadër të dialogut të vazhdueshëm mes palëve.
Ndërkohë, presidenti Trump ka deklaruar se nuk sheh nevojë për përdorimin e armëve bërthamore ndaj Iranit, duke theksuar se objektivat e SHBA-së janë arritur përmes veprimeve të ndërmarra më herët.

