Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka do të rinegociojnë marrëveshjen e tyre të mbrojtjes për Groenlandën, e cila daton nga viti 1951. Lajmi u bë i ditur nga një burim pranë diskutimeve të zhvilluara një ditë më parë në Davos mes presidentit amerikan Donald Trump dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Sipas burimit, fokusi i bisedimeve ishte forcimi i sigurisë në Arktik, me kontributin edhe të vendeve evropiane anëtare të NATO-s. Gjatë këtyre diskutimeve, nuk u trajtua ideja e vendosjes së bazave amerikane në Groenlandë nën sovranitetin e Shteteve të Bashkuara.
Marrëveshja e mbrojtjes e vitit 1951, e përditësuar në vitin 2004, u ka dhënë forcave të armatosura amerikane pothuajse dorë të lirë për veprim në territorin e Groenlandës, me kushtin që autoritetet daneze të njoftohen paraprakisht.
Ndërkohë, disa vende të NATO-s po shqyrtojnë mënyrat për të forcuar praninë e tyre në Groenlandë dhe kanë dërguar tashmë një kontingjent fillestar për të vlerësuar kushtet në terren. Gjermania, Franca, Norvegjia dhe Britania e Madhe kanë dërguar trupa me qëllim përgatitjen e një misioni të mundshëm të NATO-s, të ngjashëm me misionet në Detin Baltik apo në krahun lindor të Aleancës, për të përballuar më mirë kërcënimin rus.
Pas disa javësh deklaratash të ashpra, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi papritur në Davos “kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme” për Groenlandën, megjithëse detajet mbeten ende të paqarta.
Trump refuzoi të sqarojë nëse kompromisi i mundshëm do t’u jepte Shteteve të Bashkuara kontrollin mbi territorin autonom danez, një ide që ai e kishte artikuluar më herët, duke argumentuar se synimi ishte forcimi i mbrojtjes ndaj Rusisë dhe Kinës.


