Site icon Informohu siç duhet

Sërish sulm ajror amerikan në Karaibe, tre të vr*rë në një anije të dyshuar për trafik droge

KARAIBE– Të paktën tre persona u vranë të dielën në një sulm ajror amerikan ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge në Karaibe, bëri të ditur ushtria amerikane, duke çuar në të paktën 180 numrin e viktimave në kuadër të kësaj fushate në Paqësorin lindor dhe Detin e Karaibeve.

Operacionet ushtarake kanë nisur që nga shtatori i vitit 2025 dhe, sipas autoriteteve amerikane, janë pjesë e një “lufte” kundër karteleve të drogës që veprojnë nga Amerika Latine drejt tregut të SHBA-së.

Disa nga këto grupe janë cilësuar si organizata “terroriste”, ndërsa shpesh përdoret termi “narko-terroristë” për anëtarët e tyre.

Sipas Komandës së Përbashkët të SHBA-së për rajonin e Amerikës Latine (SOUTHCOM), sulmi i fundit ishte “vdekjeprurës” dhe kishte në shënjestër një anije që dyshohej se ishte e përfshirë në aktivitete të trafikimit të drogës. Autoritetet amerikane deklaruan se shërbimet e inteligjencës kishin konfirmuar se mjeti lundrues po lëvizte në rrugë të njohura të trafikut të drogës në Karaibe.

“Tre narko-terroristë meshkuj u vranë gjatë këtij operacioni.”- thuhet në deklaratë, e shoqëruar edhe me një video të deklasifikuar që tregon momentin e shkatërrimit të anijes.

Megjithatë, administrata e Donald Trump nuk ka paraqitur prova bindëse që anijet e goditura ishin realisht të përfshira në aktivitete të paligjshme. Ligjshmëria e këtyre sulmeve, të kryera në ujëra ndërkombëtare apo territoriale të huaja, është vënë në pikëpyetje nga ekspertë dhe zyrtarë të OKB-së, të cilët i kanë cilësuar disa prej tyre si vrasje jashtëgjyqësore. Vetëm gjatë muajit prill, ushtria amerikane ka njoftuar të paktën gjashtë sulme ajrore në kuadër të kësaj fushate./Radar.al

Exit mobile version