VATIKAN– Në një kohë që dhjetëra mijëra besimtarë presin me orë të tëra në radhë të heshtura në Sheshin e Shën Pjetrit për t’i dhënë lamtumirën Papa Françeskut, i ndarë nga jeta më 21 prill, disa skena kanë tronditur opinionin publik.
Në rrjet janë bërë virale shumë video ku duken njerëz duke bërë selfie përballë arkivolit të Papës, i vendosur në altarin e Bazilikës së Vatikanit.
Pamjet, të xhiruara nga të pranishëm të tjerë, kanë shkaktuar zemërim masiv, sidomos në mesin e besimtarëve, të cilët e shohin këtë si një akt thellësisht të pahijshëm. Për shumëkënd, ky është një shembull i trishtueshëm i si epoka e imazhit vetjak po tejkalon edhe ndjeshmërinë ndaj të shenjtës dhe dhimbjes kolektive.
Psikologia dhe pedagoge në Universitetin Katolik të Milanos, Daniela Villani, e shpjegon fenomenin si pasojë e një marrëdhënieje gjithnjë e më sipërfaqësore me emocionet. Sipas saj, “kur dikush bën një selfie në një situatë të tillë, duket sikur po thotë ‘Unë isha këtu, dua ta tregoj dhe të bëhem i dukshëm’”. Ky veprim, sipas Villanit, shërben si një mënyrë psikologjike mbrojtjeje, një distancim nga përjetimi i vërtetë i dhimbjes.
Ajo thekson se ndonëse shumë prej atyre që e kanë bërë këtë veprim mund të kenë ardhur me ndjenjë të vërtetë respekti, mënyra si kanë vendosur ta shprehin përjetimin e tyre e zbeh kuptimin e thellë të një momenti kaq solemn.
Ky fenomen ngre pyetje të forta mbi mënyrën se si rrjetet sociale po ndikojnë përherë e më shumë edhe në momentet më të shenjta dhe intime të jetës njerëzore./Radar.al