Këtu nuk po flasim për një skuadër të vetme, në këtë rast Al-Ahli, por për një shtet që po lëviz dhe do të përpiqet të ndërmarrë atë që do të ishte transferimi më i madh në historinë e futbollit. Nga Anglia vijnë lajme se sauditët janë të gatshëm të vënë në tryezë një ofertë që do të thyente të gjitha rekordet: 350 milionë euro për Realin e Madridit. Shuma maksimale e paguar për një futbollist është 222 milionë euro që PSG-ja i pagoi Barcelonës për Nejmar Zhunior në vitin 2017.
Sipas portalit “Give Me Sport”, Al-Ahli është klubi më i interesuar për të blerë shërbimet e Vinicius, nëse lojtari nga Rio de Zhaneiro largohet nga Reali dhe vendos të shkojë në Arabinë Saudite. Në garë për brazilianin janë edhe Al-Hilal dhe Al-Nasr, ku në këtë të fundit luan dhe idhulli i Viniciusit, Kristiano Ronaldo.
Tek Al-Ahli ka yje si Mahrez, Firmino dhe Gabri Veiga. Vini ka një kontratë me Realin e Madridit deri në vitin 2027, pasi ka zgjatur kontratën e tij në tetor të 2023-it dhe gjithmonë ka shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar për shumë vite në klubin e bardhë. Klauzola e tij është 1 miliard euro, shifër të cilës i referohet gjithnjë Reali i Madridit./PanoramaSport

