Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga hetimet për vrasjen e Ilaria Sulas, 22-vjeçares shqiptare që u vra brutalisht nga i dashuri i saj, Mark Antony Samson, në Itali. Mediat italiane raportojnë se autori, një 23-vjeçar me origjinë filipinase, ka rrëfyer në prokurori kronologjinë e ngjarjes dhe motivin e aktit të rëndë.
Ngjarja nisi kur Samson tentoi të hynte në banesën ku Ilaria jetonte me shoqet e saj, me pretekstin se donte të merrte laptopin e saj. Shoqet nuk e lejuan të futej, çka solli një përplasje të parë. Më pas, Ilaria shkoi vetë në banesën e Samson për të sqaruar situatën dhe qëndroi aty për një natë.
Të nesërmen, 22-vjeçarja i komunikoi vendimin për t’i dhënë fund lidhjes së tyre – vendim që, sipas rrëfimit të Samson, u shoqërua nga xhelozia dhe një shpërthim emocional. Ai ka pretenduar se ka humbur kontrollin pasi ka parë disa mesazhe që Ilaria shkëmbente me një djalë tjetër, të cilat – sipas tij – ajo ia kishte treguar vetë.
Ky konflikt përfundoi me aktin tragjik, ku Ilaria humbi jetën në rrethana ende të paqarta në detaje për publikun, por që autoritetet po i hetojnë intensivisht.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të madhe në komunitetin shqiptar në Itali dhe më gjerë, ndërsa familja e vajzës kërkon drejtësi për humbjen e vajzës së tyre të re, e cila kishte shkuar për të studiuar dhe ndërtuar një të ardhme.