TIRANË– Ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, teksa ka dhënë një interviste tek emisioni “Pa Censurë” në RTSH, ka përgënjeshtruar lajmin se pak javë më parë ka shpëtuar ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjicit në burgun ku vuan dënimin.
Ai është shprehur se e gjithë kjo ka qenë një gënjeshtër e mediave e publikuar kundër tij.
“Kjo është një nga gënjeshtrat e shumta që kanë thënë mediat për mua. Askush nuk ka tentuar të vrasë veten dhe s’kam shpëtuar njeri. Kam pasur marrëdhënie korrekte me të gjithë, marrëdhënie miqësie. Kjo ka qenë një gënjeshtër e madhe. Asnjë nuk ka tentuar të vrasë veten. Nuk kam njohur një njeri aq të dobët saqë të tentojë të vrasë veten.”- deklaroi Beleri.
Ndër të tjera Beleri tha se si me Gjicin apo edhe me zyrtarë të tjerë socialiste ka pasur deate politike, megjithatë tregon se ka kaluar kohë bashkë dhe ishin miqësuar me njëri-tjetrin.
“Në sektorin ku isha, edhe në Durrës, edhe në Fier, ndodheshin të ndaluar, subjekte të SPAK, persona politikë dhe publikë, që, në fillim u është bërë gjyqi në media dhe në publik, pastaj del SPAK dhe e certifikon gjykata. Kam qenë në burg me zotin Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, drejtorët e bashkisë së Tiranës, kryebashkiakun e Bulqizës, të Fushë Arrëzit. Nuk njihja askënd nga këta më parë, por u miqësuam, pasi ndanim të njëjtin ambient. Kam një falenderim për të gjithë, pasi më kanë respektuar dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë. Edhe pse isha në minorancë, më pritën shumë mirë dhe më respektuan si qytetar. Bënim edhe debate për politikën. Kishim shpesh edhe debate politike. Secili mbronte idetë e veta. Kishte nga ata që e mbronin PS, kishte nga ata që nuk e mbronin, por ata nuk fajësonin PS pse ishin arrestuar. Problemi i tyre ishte padrejtësia qe vinte nga mungesa e procedurave ligjore, nga mosrespektimi i shtetit ligjor që e ka burimin nga SPAK-u.”- u shpreh Beleri.

