Site icon Informohu siç duhet

Ryanair mbyll bazën në Berlin dhe përgjysmon fluturimet, zhvendos avionët drejt BE-së me kosto më të ulët

Kompania ajrore me kosto të ulët Ryanair ka njoftuar mbylljen e bazës së saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Berlinit, duke tërhequr shtatë avionët e stacionuar dhe duke përgjysmuar operacionet në kryeqytetin gjerman.

Sipas njoftimit zyrtar, baza e Berlinit do të mbyllet më 24 tetor të këtij viti. Edhe pse fluturimet drejt qytetit do të vazhdojnë, ato do të realizohen me avionë të vendosur në vende të tjera jashtë Gjermanisë.

Linja ajrore parashikon që numri i pasagjerëve në Aeroportin Berlin-Brandenburg (BER) të ulet ndjeshëm, nga rreth 4.5 milionë në 2.2 milionë deri në vitin 2027.

“Ryanair” e lidh këtë vendim me planet e aeroportit për rritje të tarifave në vitet në vijim, ndërsa autoritetet e aeroportit kanë mohuar një rritje të tillë, duke deklaruar se nuk është planifikuar asnjë ndryshim i tarifave dhe se janë të befasuar nga vendimi.

Nga ana e saj, kompania ka kritikuar politikat e aviacionit në Gjermani, duke argumentuar se kostot e larta po dëmtojnë konkurrueshmërinë dhe po çojnë në reduktim të trafikut ajror.

Sipas “Ryanair”, avionët e bazës së Berlinit do të zhvendosen në aeroporte të tjera evropiane me kosto më të ulëta, përfshirë vende si Suedia, Sllovakia, Shqipëria dhe Italia. Crew-t dhe stafi pritet të kenë mundësi transferimi brenda rrjetit të kompanisë në Evropë.

Exit mobile version