Site icon Informohu siç duhet

Rutte paralajmëron për skenar global: Rusia mund të shpërqendrojë Evropën në rast sulmi ndaj Tajvanit

Rutte: Sulmet në Kiev dëshmojnë se nuk mund të jemi naivë me Rusinë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka paralajmëruar se Rusia mund të luajë një rol aktiv për të mbajtur Evropën të përfshirë në tensione sigurie, nëse Kina ndërmerr një ndërhyrje ushtarake ndaj Tajvanit.

Në një intervistë për gazetën gjermane “BILD”, Rutte theksoi se bashkëpunimi i ngushtë mes Pekinit dhe Moskës përbën një rrezik të shtuar për stabilitetin global, duke shtuar se çdo përshkallëzim në rajonin Indo-Paqësor do të kishte pasoja të drejtpërdrejta edhe për Evropën.

Sipas tij, Kina po e vëzhgon nga afër situatën në Tajvan dhe, në rast të një sulmi, mund t’i kërkojë Rusisë të ushtrojë presion në kontinentin evropian për të shpërqendruar vëmendjen e NATO-s. “Ekziston një lidhje e qartë strategjike mes Kinës dhe Rusisë. Një konflikt në Azi nuk do të mbetej i izoluar”, u shpreh Rutte.

Kreu i NATO-s nënvizoi se Rusia vazhdon të mbetet një aktor i rrezikshëm, pavarësisht humbjeve të mëdha njerëzore dhe territoriale në Ukrainë. Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të përballojë kosto të rënda për të vazhduar luftën, ndërsa përparimet në terren këtë vit kanë qenë minimale.

Rutte theksoi se mbështetja për Ukrainën është thelbësore për sigurinë e gjithë Evropës, duke paralajmëruar se një fitore e plotë ruse do ta detyronte NATO-n të rriste ndjeshëm shpenzimet dhe angazhimin ushtarak.

Ai bëri të ditur se po diskutohen edhe mundësi për kontribute me trupa nga disa vende evropiane, megjithëse struktura dhe forma e një angazhimi të tillë mbeten ende në fazë planifikimi.

Ndërkohë, Rutte hodhi poshtë zërat për një tërheqje të Shteteve të Bashkuara nga Evropa, duke vlerësuar rolin e presidentit amerikan Donald Trump. Sipas tij, Trump është i përkushtuar për përfundimin e konfliktit në Ukrainë dhe ka qenë faktori kyç që ka sjellë presidentin rus në tryezën e bisedimeve.

Exit mobile version