Site icon Informohu siç duhet

Rusia godet maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur nga sulmet me dron

Të paktën nëntë persona janë plagosur pasi dronët rusë goditën një maternitet në qytetin jugor të Zaporizhias, bënë të ditur sot autoritetet ukrainase.

Guvernatori ushtarak i rajonit, Ivan Federov, deklaroi se në sulmin e parë u plagosën gjashtë persona, mes tyre dy gra që ndodheshin në spital për ekzaminime mjekësore. “Në sulmin e dytë u plagosën edhe dy gra të tjera dhe një fëmijë 4-vjeçar”, shtoi ai.

Federov publikoi në Telegram pamje nga ndërtesa e dëmtuar, ku shihen dritare të thyera dhe dhoma spitalore të shkatërruara nga shpërthimet.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas raportuan më herët se një burrë dhe një grua u vranë nga sulmet me dron rusë gjatë natës në qytetin Dnipro.

Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia ndërmori gjithsej 90 sulme me dron gjatë natës në zona të ndryshme të vendit.

Këto sulme vijnë në një kohë kur po zhvillohen përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës që po shkon drejt vitit të katërt. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se bisedimet tripalëshe të paqes mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara do të mbahen të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi.

Negociatat e drejtpërdrejta mes Moskës dhe Kievit u rifilluan në Abu Dabi një javë më parë, pas një pauze të gjatë. Ato u zhvilluan me dyer të mbyllura dhe u ndërmjetësuan nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit Steve Witkoff.

Para bisedimeve dypalëshe të planifikuara për të dielën, Rusia kishte rënë dakord me kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për një ndalim të përkohshëm të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pas ndërprerjeve masive të energjisë elektrike të shkaktuara nga sulmet në termocentrale.

Sipas Kremlinit, ky armëpushim i kufizuar ishte parashikuar të zgjaste deri ditën e sotme.

Exit mobile version