Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti të enjten në Izrael në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të garantuar zbatimin e armëpushimit në Rripin e Gazës dhe për të normalizuar situatën pas javësh lufte intensive.
Gjatë një fjalimi nga Izraeli jugor, Rubio e përshkroi procesin e koordinimit të armëpushimit si një “mision historik”, duke theksuar se SHBA dhe aleatët e saj po punojnë për ruajtjen e paqes, ofrimin e ndihmës humanitare dhe përgatitjen e hyrjes së Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në territorin e Gazës.
“Ky është një mision historik. Zbatimi i planit nuk do të jetë linear – do të ketë sfida dhe trazira – por kemi arsye të forta për optimizëm për progresin e deritanishëm,” deklaroi Rubio nga Qendra e Koordinimit Politiko-Ushtarak SHBA-Izrael.
Ai nënvizoi se Izraeli ka të drejtën të rifillojë operacionet ushtarake nëse Hamasi vazhdon të përbëjë kërcënim, duke shtuar se armëpushimi aktual është i vetmi plan realist për paqe.
“Nuk ka plan B. Ky është plani më i mirë dhe i vetëm që mund të ketë sukses,” theksoi Rubio.
Lidhur me çarmatosjen e Hamasit, kreu i diplomacisë amerikane u shpreh prerë se çdo refuzim për të dorëzuar armët do të përbënte shkelje të marrëveshjes dhe do të kërkonte zbatim të menjëhershëm të masave të përcaktuara.

