Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u tha ministrave të jashtëm të G7 se konflikti me Iranin pritet të vazhdojë për dy deri në katër javë të tjera, por SHBA mund të arrijë qëllimet e saj pa nevojën e një operacioni tokësor.
Sipas tre burimeve me njohuri të drejtpërdrejta për çështjen, Rubio theksoi gjatë takimit të së premtes në Francë se SHBA janë afër nisjes së negociatave serioze me Iranin. Në deklaratat pas takimit, ai shtoi se pritet që lufta të përfundojë brenda “javëve, jo muajve”.
Rubio bëri me dije se ende nuk është e qartë se kush vendos në Teheran dhe se komunikimi me zyrtarët iranianë është i vështirë, pasi ata shmangin përdorimin e telefonave për shkak të rrezikut të gjurmimit dhe sulmeve. Ai shtoi se ka dy zyrtarë iranianë të gatshëm për negociata, por që kanë nevojë për miratimin e udhëheqjes së lartë. Zëvendëspresidenti Vance pritet të udhëheqë misionin e mundshëm të bisedimeve.
Përsa i përket mundësisë së një ndërhyrjeje tokësore, Rubio theksoi:
“Ne mund t’i arrijmë të gjitha objektivat tona pa forca tokësore, por gjithmonë do të jemi të gatshëm t’i ofrojmë presidentit fleksibilitetin maksimal në rast situatash të paparashikuara.”
Në zhvillime të tjera, SHBA dhe Izraeli kanë bombarduar një uzinë pasurimi uraniumi në Ardakan, provinca Yazd, sipas njoftimeve të Organizata e Energjisë Atomike të Iranit. Sulmi, që organizata e quajti “i kryer nga armiku amerikan sionist”, nuk ka shkaktuar lirimin e materialeve radioaktive.


