Radiotelevizioni Shqiptar (RTSH) po përballet me një krizë të thellë financiare, të konfirmuar nga drejtoresha e re, Eni Vasili. Në muajt e parë të mandatit, ajo i është drejtuar Ministrisë së Financave me një kërkesë për fonde shtesë, duke paralajmëruar se institucioni rrezikon të mos paguajë detyrimet ndaj punonjësve dhe kontraktorëve.
Në dokumentin zyrtar, Vasili konstaton rreth 8 milionë euro abuzime nga menaxhimet e mëparshme – gjysma e të cilave lidhen me kontrata për të drejtat televizive dhe gjysma tjetër me procese gjyqësore për pushime nga puna në kundërshtim me ligjin. Vetëm deri më 31 maj, dëmet nga detyrimet ndaj punonjësve të pushuar kanë kaluar 730 mijë euro, ndërsa proceset në vazhdim mund të çojnë totalin në 4 milionë euro.
Nga ana tjetër, më shumë se 4 milionë euro rezultojnë si shpenzime të paparashikuara për kontratat televizive, duke e çuar RTSH-në në prag të kolapsit financiar.
Drejtoresha e re premton nisjen e një auditimi të thelluar për të zbardhur abuzimet:
“Është e qartë që situata nuk mund të kalojë në heshtje. Përpara se të kërkojmë fonde, duhet të pastrojmë institucionin dhe të rivendosim transparencën,” – thuhet në kërkesën e saj dërguar Ministrisë së Financave.
RTSH, që përfiton rreth 25 milionë euro në vit nga taksat e qytetarëve dhe buxheti i shtetit, po përballet prej vitesh me kritika për programet e dobëta, mungesën e investimeve dhe rënien e shikueshmërisë. Kjo është hera e parë që një drejtues pranon publikisht përmasat e abuzimeve, duke e vënë institucionin përballë detyrimit për një auditim të jashtëm dhe hetim nga drejtësia.


