Prej disa muajsh vijon një përplasje mes RTSH, Komisionit të Prokurimit Publik dhe kompanisë R&T e biznesmenit Renis Tërshana për tenderin 9.1 milionë euro të dekoderave.
Në tenderin me objekt “Blerje shërbimi i mirëmbajtjes për Rrjetin e Shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”, me fond limit rreth 907 milion lekë pa TVSH (9.1 milion euro), u shpall fitues paraprakisht biznesmeni Renis Tërshana në korrik, pas një gare të gjatë të shoqëruar me ankesa dhe debate.
Por sot, RTSH ka deklaruar se operatori “R&T” nuk dorëzoi brenda afatit vërtetimin që provon se nuk është subjekt i dënuar penal, certifikatën për pagesën e detyrimeve tatimore vendore, si dhe ekstraktin e pronarit përfitues, të cilat konsiderohen dokumente detyruese për kualifikim sipas ligjit për prokurimet publike.
Në këto kushte, RTSH e konsideroi ofertën “të pavlefshme” dhe anuloi procedurën me arsyetimin se “nuk është paraqitur asnjë ofertë e përshtatshme”.
Ky vendim kundërshton urdhrin e KPP-së, që pak javë më parë konstatoi se skualifikimi i “R&T” ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe urdhëroi autoritetin kontraktor të rikthente Renis Tërshanën si fitues të tenderit.
Gjithçka nisi në kohën kur RTSH drejtohej nga Aurora Polo.
Mirëpo ndërhyrja e re në drejtimin e institucionit duket se ka ndryshuar kursin, duke mos lejuar dhënien automatike të kësaj kontrate të majme.
Mbetet të shihet nëse RTSH e ka anuluar përfundimisht tenderin apo do ta rishpallë.