Në tremujorin e parë të vitit 2025, numri i mjeteve rrugore në qarkullim në Shqipëri ka arritur në 976,916, duke shënuar një rritje prej 10,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesën dërrmuese të kësaj flote e zënë autoveturat, që përbëjnë 80,8% të totalit, të ndjekura nga mjetet për transport të përzier (6%) dhe motorët (5,8%).
Tirana vijon të kryesojë me përqendrimin më të madh të mjeteve në vend, duke mbajtur 34,7% të gjithë flotës kombëtare, ndërsa Durrësi renditet i dyti me 13,5%. Në kahun tjetër, Gjirokastra dhe Kukësi mbeten me numrin më të ulët të mjeteve, me vetëm 2,2% dhe 2,4%.
Gjatë kësaj periudhe, janë regjistruar për herë të parë 20,319 mjete, ku 82% ishin autovetura. Tirana mban sërish vendin e parë, duke përfaqësuar 40% të regjistrimeve të reja. Megjithatë, regjistrimet e reja kanë pësuar një rënie prej 4,4% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2024.
Sa i përket markave më të preferuara të mjeteve të reja, Volkswagen udhëheq me 20% të regjistrimeve, i ndjekur nga Mercedes Benz me 19%.

