Qeveria ka miratuar Projektbuxhetin e vitit 2026, me një vlerë rekord prej 886,8 miliardë lekësh, që përfaqëson 31,9% të PBB-së dhe është 55 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar i këtij viti. Dokumenti ka mbërritur në Kuvend, ku pritet të nisë diskutimi nen për nen deri në fillim të dhjetorit.
Sipas parashikimeve, të ardhurat buxhetore do të arrijnë në 823,1 miliardë lekë, falë përmirësimit të administrimit fiskal dhe uljes së informalitetit.
Rritja ekonomike parashikohet të ruajë ritmin e saj pozitiv me një mesatare 4% në vit gjatë periudhës 2026–2028, ndërsa borxhi publik do të vijojë të ulet në 53,6% të PBB-së vitin e ardhshëm.
Ndër masat më të rëndësishme sociale të projektbuxhetit janë:
Rritja e pensionit minimal në 200 euro dhe e mesatarit në 400 euro në muaj;
Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë dhe indeksimi i pagave të administratës me 2,5% që nga 1 janari 2026;
Deri në vitin 2028, paga minimale do të arrijë 60 mijë lekë, e indeksuar sipas inflacionit.
Qeveria synon gjithashtu të ruajë një nivel të lartë investimesh publike, rreth 6,5% të PBB-së, të fokusuara në projektet strategjike kombëtare dhe Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Në kuadër të buxhetimit gjinor, 9,5% e shpenzimeve do të drejtohen në programe që mbështesin barazinë gjinore.
Edhe pushteti vendor përfiton një rritje: buxhetet vendore arrijnë në 97,7 miliardë lekë, ose 9% më shumë se në 2025, me transfertën e pakushtëzuar dyfish më të lartë se në vitin 2015.

