TIRANË– Në takimin me kryetarët e Bashkive, kryeministri Edi Rama foli edhe sa i përket rritjes së çmimeve në jug të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se pavarësisht që qeveria dhe bashkitë nuk mund të kontrollojnë çmimet, rritja e ndjeshme e tyre mund të kthehet në një strategji vetëvrasëse për të gjithë sektorin e turizmit.
“Qeveria nuk kontrollon dot çmimet, por në Sarandë dhe në Vlorë, Ermal dhe Olti mund të flitet me pronarët e hoteleve, pasi kjo që po bëjnë është strategji vetëvrasëse. Duhet të flitet se rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të madhe për vitin e ardhshëm. Para se të jetë vonë, duhet të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme. Është dhe çështje dijeje. Vlonjatët do të bjenë vetë në gropën e gjoksit të tyre, është e turpshme për të krijuar njën klimë absurde. E ka bërë Bullgaria këtë sport shumë vite më parë. Vlonjatëve iu ka dalë edhe syri dhe nami, iu kanë dalë edhe trutë dhe nuk dinë më se çfarë bëjnë. Mua dhe mi tolerojnë më shumë se të tjerëve këto fjalë. Të paktën të zbresin në kat të dytë. Se me këmbë në tokë nuk zbresin vlonjatët.”- tha Rama në fjalën e tij.