Pas 17 vitesh mister, drejtësia italiane ka rihapur çështjen e vrasjes së Maria Pellegrini-t, një mësueseje në pension e cila u gjet e mbytur në shtëpinë e saj në Casalserugo, provincë e Padovës, në dhjetor të vitit 2008.
E moshuara 78-vjeçare u gjet pa shenja jete në shtrat, me një qese celofani të lidhur rreth fytyrës, në atë që fillimisht u dyshua si një grabitje e shkuar keq. Megjithatë, hetimet nuk arritën të identifikonin autorin dhe dosja u arkivua si “krim pa fajtor”.
Tani, përparimet në analizat e ADN-së kanë çuar në një zhvillim të rëndësishëm: një 47-vjeçare shqiptare, aktualisht në burg për vjedhje, është regjistruar zyrtarisht si e dyshuar për vrasjen. Sipas Prokurorisë së Padovës, gjurmët e ADN-së së saj janë identifikuar në një shirit ngjitës që dyshohet se është përdorur për të siguruar qesen e celofanit te viktima.
Gjykata ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize të re shkencore, që do të zhvillohet në prani të përfaqësuesve ligjorë të familjes së viktimës dhe të dyshuarës.
Në kohën e ngjarjes, Pellegrini menaxhonte personalisht një pasuri të konsiderueshme në prona, por nuk mbante bizhuteri apo para të mëdha në shtëpi. Hetimet fillestare u fokusuan në pistat ekonomike dhe konflikte të mundshme në menaxhimin e pasurive, por hipoteza e grabitjes mbeti më e forta.
Familjarët e viktimës kanë kërkuar vazhdimisht drejtësi ndër vite, përfshirë një apel publik në vitin 2021 në emisionin italian “Chi l’ha visto”. Sot, shpresa për zbardhjen e krimit është ringjallur, ndërsa teknologjia mjeko-ligjore mund të jetë çelësi i së vërtetës.


