Site icon Informohu siç duhet

Reshjet vënë në alarm Durrësin/ Ministrja Koçiu në terren: Institucionet në gatishmëri të plotë, hidrovorët funksionalë

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, deklaroi nga Durrësi se të gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet intensive të orëve të fundit.

Gjatë një inspektimi në hidrovorin e ri të bashkisë së Durrësit, Koçiu theksoi se vënia në funksion paralel e hidrovorit të ri dhe atij ekzistues ka qenë vendimtare për të shmangur përkeqësimin e situatës dhe për të mbajtur nën kontroll nivelin e ujërave në qytet.

“Situata paraqitet shqetësuese, por strukturat janë në terren dhe po veprojnë në kohë reale. 12 orët e ardhshme janë vendimtare për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve. Paralelisht ka nisur edhe procesi i evidentimit të dëmeve në zonat e prekura,” u shpreh ministrja, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, konfirmoi se infrastruktura kritike po funksionon pa probleme. Ajo bëri të ditur se hidrovori i ri, i ndërtuar me investime qeveritare, ka qenë në punë të pandërprerë prej rreth dy ditësh, me të gjitha pompat aktive, ndërsa edhe hidrovori i vjetër operon me gjashtë pompa dhe kapacitete rezervë energjie.

“Monitorimi është 24-orësh dhe këto objekte janë jetike për mbrojtjen e qytetit gjatë situatave të emergjencës,” theksoi Sako.

Autoritetet bëjnë me dije se situata po ndiqet në mënyrë të vazhdueshme dhe se strukturat e emergjencave civile janë të gatshme të ndërhyjnë në çdo moment në rast përkeqësimi të kushteve atmosferike.

Exit mobile version