Reshjet e shiut kanë sjellë sërish përmbytje në qytetin e Durrësit, ku uji ka vërshuar në disa akse rrugore, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve.
Vetëm pak javë pas përmbytjeve masive në qark, banorët po përballen edhe një herë me një situatë problematike, si pasojë e nivelit të lartë të ujit në rrugë dhe mungesës së kullimit.
Problemet më të theksuara janë regjistruar në disa kryqëzime të qytetit, si dhe në zonën pranë stadiumit “Niko Dovana”. Ndërkohë, nga intensiteti i reshjeve janë shkaktuar edhe rrëshqitje dherash në shpatet e kodrave, kryesisht në zonën e Currilave, ku një kah i rrugës është bllokuar nga uji dhe balta.

