Temperaturat e ulëta dhe reshjet e dëborës kanë përfshirë edhe Qarkun e Dibrës. Reshje e borës kanë përfshire zonat si Lura, Selishta, Kala e Dodës, fshatrat e Sllovës, ku trashësia e borës arrin deri në 5 cm, kryesisht në Lurë, Selishtë, Kala e Dodës.
Sipas fermerëve ulja e temperaturave dhe prania e borës ka shkaktuar dëme në bujqësi dhe në frutikulturë, pasi pemët kishin nisur lulëzimin. Ndërkohë, borëpastrueset janë në gatishmëri në rrugën nacionale Peshkopi-Kukës.
Rënia e temperaturave ka sjellë reshje të dendura dëbore në zonat malore në Shkodër dhe Pukë. Mësohet se reshjet kanë përfshirë akset Boge-Theth, Tamare-Vermosh duke vështirësuar lëvizjen në këto zona.
Ndërkohë, borëpastrueset në Shkodër e Pukë mësohet se janë në terren për të pastruar rrugët dhe siguruar kalueshmërinë, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimin e gomave dimërore.