Reklamat e institucioneve publike do të kalojnë në filtra për mënyrën se si përdoren dhe ku shkojnë fondet. Të paktën këtë shpreh Autoriteti i Mediave Audiovizive në raportin vjetor 2025, ku nënvizohet se do të bëhen ndryshime në ligjin 97/2013 “Për mediat audiovizive”.
Sipas AMA, kjo nismë synon një rregullim më të fortë dhe të qartë të shpërndarjes së fondeve publike për reklamat shtetërore.
Në raport, nënvizohet se kjo është në një përpjekje për të adresuar boshllëqet ligjore dhe për të rritur transparencën, ku Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) do të thellohet në mbikëqyrjen dhe menaxhimin e shpërndarjes së fondeve për reklamat institucionale. Këto ndryshime synojnë të sigurojnë që reklamat shtetërore të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, duke shmangur ndikimin e mundshëm të faktorëve politikë.
Sipas projekt-propozimeve të reja ligjore, AMA do të marrë një rol kyç në monitorimin e volumit të reklamave shtetërore, duke publikuar të dhëna të përditësuara për shpërndarjen e këtyre fondeve.
Pjesë e këtij propozimi është krijimi i kodeve të sjelljes për ofruesit e shërbimeve mediatike, të cilët do të angazhohen për të zbatuar praktika të përgjegjshme dhe transparente lidhur me shpërndarjen e reklamave shtetërore.
“Në projekt-propozimet për ndryshime ligjore, ndër të tjera, AMA ka përfshirë dispozita që synojnë të adresojnë boshllëqet ligjore dhe që forcojnë transparencën në financimet publike dhe në reklamimin institucional, duke përcaktuar rregulla për shpërndarjen e fondeve publike për reklamat shtetërore dhe kontratat e furnizimit ose shërbimit.
Në këtë drejtim, AMA angazhohet në mbështetjen e transparencës duke siguruar që shpërndarja e fondeve publike të ketë si qëllim garantimin e pluralizmit mediatik, veçanërisht duke përfituar një gamë të ndryshme të ofruesve të shërbimeve mediatike,” thuhet në raportin vjetor të AMA-s.
Ky hap merret në një kohë kur Shqipëria po përpiqet të përafrojë kuadrin e saj ligjor me direktivat e Bashkimit Europian në të gjitha fushat, si kusht themelor për të ardhmen.
Edhe ndryshimet e fundit që pritet të bëhen, sipas AMA-s, janë në të njëjtën linjë sipas rekomandimeve që më herët ishin bërë nga BE, që nënvizon se përdorimi i fondeve publike për reklamat shtetërore duhet të jetë i drejtë, i kontrolluar dhe i mbikëqyrur, duke garantuar një mjedis mediatik më të barabartë.
“Akti Europian për Lirinë e Medias (EMFA) vendos detyrime të reja ligjore mbi autoritetet publike dhe entitetet në lidhje me reklamën shtetërore.
Të gjitha autoritetet publike dhe entitetet duhet: Të kenë të përcaktuara kriteret dhe procedurat e duhura për dhënien dhe shpërndarjen e reklamave shtetërore, në mënyrë transparente dhe të paanshme;
Të mbledhin dhe publikojnë informacionin mbi shpenzimet e kryera për reklamimin shtetëror, duke siguruar qartësi dhe llogaridhënie ndaj publikut,” citon AMA./MONITOR

