Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Livorno të Italisë, ku një grua telefonoi policinë pasi bashkëshorti i saj refuzoi të kishte marrëdhënie intime me të.
Sipas mediave italiane, çifti me origjinë nga Nigeria nuk ishte takuar prej më shumë se një muaji, pasi burri kishte qenë në një udhëtim në Nigeri. Pas kthimit në shtëpi, ai kërkoi vetëm të pushonte, duke u justifikuar me lodhjen e udhëtimit të gjatë.
Gruaja nuk e priti mirë refuzimin, duke e interpretuar atë si shenjë të një krize në marrëdhënien e tyre, madje dyshoi edhe për tradhti. Debati mes çiftit u përshkallëzua me të bërtitura, derisa ajo telefonoi numrin e emergjencës 112.
Në vendngjarje mbërritën efektivët e policisë, të cilët u alarmuan edhe nga telefonatat e fqinjëve, të shqetësuar se konflikti mund të përfundonte në dhunë. Pas verifikimeve, autoritetet nuk konstatuan shkelje apo probleme të tjera dhe arritën të qetësonin situatën brenda banesës.


