Një anije italiane e rojes bregdetare sapo ka mbërritur në Portin e Shëngjinit, për të marrë 12 emigrantët që pak ditë më parë akomodoheshin në qendrën e Gjadrit.
Pas vendimit të Gjykatës së Romës, të 12 emigrantët nga Egjipti dhe Bangladeshi do të zhvendosen në Itali, ndoshta në Bari, dhe më pas në një qendër pritjeje, ku do të jenë në pritje të procedurave.
Vendimi i gjykatës së Romës për rrëzimin e riatdhesimit të shtetasve të huaj të transferuar në Shqipëri ishte kryesisht i parashikueshëm. Masa u urdhërua për 12 të huajt, të cilët janë pjesë e 16 emigrantëve (10 nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti) të transportuar drejt Shqipërisë nga anija Libra e Marinës italiane.
Katër të tjerët ishin kthyer në Itali me një varkë patrullimi: dy u deklaruan të mitur, dy të tjerë raportuan probleme shëndetësore.
