Shteti ynë fqinjë, Greqia, është përballur me një problematikë të ngjashme me Shqipërinë në sistemin shëndetësor. Në atë kohë pati shumë protesta edhe pakënaqësi në lidhje me marrjen e shërbimit nga mjekët, të cilët ushtronin profesionin e tyre midis shtetit dhe privatit. Për ndërprerjen e këtij rrugëtimi u ndërmor një nismë për t’i vënë përpara zgjidhjes së detyruar mjekët. Ata duhet të vendosnin nëse do vijonin punën në shtet apo në klinikën e tyre private.
I njëjti rast duket i pamundur në Shqipëri për të marrë një masë kaq drastike. Kjo për faktin se vitet e fundit ka pasur një largim të konsiderueshëm të mjekëve, gjë që ka sjellë dhe një ulje të numrit të mjekëve profesionistë në vendin tonë. Gjithashtu, sistemi shëndetësor shqiptar ka shumë pak profesionistë, të cilët përgjithësisht janë të orientuar të punojnë në Tiranë. Në bashki të vogla spitalet funksionojnë më së shumti për dhënien e ndihmës së emergjencës dhe më pas të sëmurët largohen për trajtim të specializuar në qendrat rajonale ose në Tiranë.
Thënë troç, në këto kushte dhe mungesën e mjekëve të specializuar Shqipëria nuk është gati për t’i dhënë një ultimatum mjekëve që të zgjedhin midis shtetit dhe privatit.