Në mbylljen e fushatës elektorale, Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen e thellë për një fitore të madhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit.
Ai e cilësoi këtë periudhë si një moment historik për rilindjen e Shqipërisë dhe theksoi se, përkundër sfidave, PS-ja është e pandalshme. Rama shpjegoi se kundërshtarët nuk mund ta kuptojnë se pse PS-ja i mund ata “thellë e më thellë”, duke aluduar se ata janë të paaftë të përballen me forcën dhe arritjet e socialistëve.
Ai bëri parashikimin se PS do të marrë të paktën 78 mandate dhe përgënjeshtroi ata që quajnë këtë si “blof” ose “truk”. “Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne, nuk ka”, u shpreh Rama, duke shtuar se kundërshtarët e tij, përfshirë “prurjet e reja”, nuk mund të arrijnë të krahasohen me Partinë Socialiste. Rama i quajti ata si “dava humbësash”, dhe nënvizoi se PS do të ngjitet më lart dhe do të fitojë një rezultat të padiskutueshëm.


