Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konferencë me gazetarë të Bashkimit Europian, ku u ndal edhe te projekti i investimit në Zvërnec. Gjatë fjalës së tij, ai deklaroi se investitorëve u është vendosur si kusht që pas realizimit të projektit zona të ketë më shumë sipërfaqe të gjelbër se sa ka aktualisht.
Rama theksoi se projekti po hartohet me mbështetjen e një ekipi të gjerë specialistësh dhe arkitektësh peizazhi, duke synuar që zhvillimi të realizohet në përputhje me standardet mjedisore.
“Kushti për projektin është që të ketë më shumë hapësirë gjelbërimi sesa para. Po punojmë me arkitektët më të mirë të peizazhit dhe ky projekt do të jetë një tjetër provë se natyra dhe zhvillimi mund të bashkëjetojnë”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se Shqipëria ka rritur ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura ndër vite, ndërsa nënvizoi se mbrojtja e natyrës nuk duhet të pengojë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve.


