Site icon Informohu siç duhet

Rama për “Corriere della Sera”: Për qendrat italiane në Shqipëri po presim paktin e ri evropian për migracionin

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, deklaroi se funksionimi i qendrave italiane për migrantët në Shqipëri lidhet drejtpërdrejt me miratimin e paktit të ri evropian për migracionin.

Ai theksoi se Samiti i parë ndërqeveritar Itali–Shqipëri, i zhvilluar në Villa Doria Pamphili në Romë, konfirmoi marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve, si edhe bashkëpunimin personal dhe politik midis Giorgia Melonit dhe Edi Ramës. Rama madje u shpreh se Italia dhe Shqipëria janë “si një vend i vetëm”.

Megjithatë, qendrat për migrantët mbeten një çështje e diskutueshme. “Polemikat politike dhe gjyqësore rreth këtyre qendrave po shkaktojnë dhimbje koke”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria ka qenë dhe mbetet krah qeverisë italiane në këtë projekt. Ai nënvizoi se Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro për ngritjen e tyre.

Sa i përket funksionimit të qendrave, Rama u shpreh se “pakti i ri evropian për migracionin do të tregojë se si do të evoluojnë këto hapësira”, duke nënkuptuar se vendimet do të varen nga kuadri i ri ligjor i BE-së.

Kryeministri komentoi edhe kritikat për menaxhimin e qendrave, duke thënë se akuzat shpesh humbasin në “balten e pafundme të mediave sociale”, ndërsa ritmi i lajmeve e bën të vështirë ndarjen e së vërtetës nga gënjeshtrat.

Në intervistë, Rama foli edhe për fushat ku Shqipëria dhe Italia po bashkëpunojnë muajt e fundit: integrimin evropian të Shqipërisë, projektet e përbashkëta infrastrukturore, energjetike e ushtarake, si dhe luftën kundër trafikimit dhe emigracionit të paligjshëm.

Ai tha se Shqipëria synon të mbyllë kapitullin e fundit të negociatave të antarësimit deri në vitin 2027, ndërsa vlerësoi Italinë si “avokaten tradicionale” të Shqipërisë në BE dhe “zërin më të fortë të Tiranës në Bruksel”.

Rama vlerësoi gjithashtu rolin e Giorgia Melonit në politikën evropiane, duke thënë se ajo e ka çuar zërin e Italisë në “një nivel tjetër” në arenën ndërkombëtare.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Rama theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht integritetin territorial të vendit dhe e konsideron të papranueshme çdo zgjidhje që prek kufijtë e saj. Por ai vuri në dukje mungesën e një plani të qartë paqeje nga BE-ja, duke shpresuar që unioni të mos reagojë shumë vonë.

Exit mobile version