Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video të Gjirit të Gramës duke e cilësuar atë si “një prej plazheve perla të rivierës sonë”.
“Mirëmëngjesi dhe me këto momente të bukura nga Gjiri i Gramës, një prej plazheve perla të rivierës sonë, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.
Kjo është hera e dytë që Rama publikon video për Gjirin e Gramës. Herën e parë kryeministri iu përgjigj gazetarit Blendi Fevziu. Ky i fundit tha se këtë vit, si asnjëherë më parë ky lokacion ishte bosh nga turistët.
Në videon e publikuar, gazetari Fevziu tregoi se e kishte regjistruar më 31 korrik, ora 15:30, pikërisht në pikun e sezonit turistik.
“Meqë ka një debat shumë të madh për çështjen e turizmit në Shqipëri jam në Gjirin e Gramës. Gjirin më të bukur ndoshta të jugut, gji i cili nuk gjen vend nëse vjen në korrik dhe gusht. Është data 31 korrik dhe është ora 3 e gjysmë e pasdites dhe shikojeni si është situata.
Janë dy varka bosh, të gjithë shezlongët bosh. Janë vetëm 5 turistë të huaj në fund që janë duke qëndruar poshtë shkëmbit dhe 8 veta që po hanë drekë dhe po pinë në dy kafet. Është një nga perlat e Shqipërisë krejtësisht bosh, krejt. Nuk më ka ndodhur kurrë që ta shoh gramën kështu, ndoshta vetëm në tetor. Bosh, bosh, bosh tani se kush e ka fajin këtë nuk e di. Nuk ka më të huaj, nuk ka më shqiptarë të Kosovës dhe shqiptarët e Shqipërisë janë trembur”, – thotë Fevziu.
Por nuk vonoi reagimi i Ramës i cili tha se Gjiri i Gramës është magnet i parezistueshëm nga shqiptarët dhe të huajt.
“Gjiri i Gramës si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit, i arritshëm vetëm nga deti” – shkruajti kryeministri krahas videos së xhiruar me dron.
Gjiri i Gramës në Gadishullin e Karaburunit, është një nga plazhet me ujin e pastër kristal e natyrën e virgjër.

