Site icon Informohu siç duhet

Rama në Dibër me fermerët: Shoqëritë bujqësore, model i ri bashkëpunimi për tregun e BE-së

Në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët e Dibrës, ku u fokusua te rritja e investimeve në bujqësi dhe mbështetja për këtë sektor në funksion të përmbushjes së standardeve të tregut të Bashkimit Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te krijimi i Shoqërive të Bashkuara Bujqësore (SHBB), të cilat i cilësoi si një model bashkëpunimi të ngjashëm me kooperativat europiane, por të përshtatur për realitetin shqiptar. Ai theksoi se ky organizim synon rritjen e prodhimit, uljen e kostove dhe rritjen e konkurrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

“Bashkimi Europian funksionon përmes kooperativave, ku secili prodhon më vete, por të gjithë bashkohen për të shitur produktin. Kjo krijon volum më të madh dhe harmonizon procesin e prodhimit, nga mbjellja me të njëjtën farë, te përpunimi, ambalazhimi dhe tregtimi,” u shpreh ai.

Duke iu referuar skepticizmit të disa fermerëve, Rama ironizoi me shprehjen: “Po na mbledhin në kooperativë këta socialistët”, duke shtuar se modeli i ri nuk ka lidhje me të kaluarën, por është një praktikë moderne europiane.

Ai nënvizoi gjithashtu mbështetjen financiare dhe institucionale që do të ofrohet për këto struktura, duke përfshirë bashkitë si aksionere në funksion të zhvillimit dhe jo për përfitime direkte. Si shembull, ai përmendi nismën “Dibra Origin”, e cila synon të krijojë një markë të njohur për produktet vendase në tregun europian.

Sipas Ramës, bashkimi i fermerëve është thelbësor për të përballuar konkurrencën në tregun e madh të BE-së, duke paralajmëruar se pa këtë organizim, prodhuesit vendas do ta kenë të vështirë të gjejnë hapësirë për shitjen e produkteve të tyre.

Exit mobile version