Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me gratë dhe vajzat në Roskovec, ku dha shifra për arritjet e qeverisjes së PS-së gjatë këtyre viteve. Rama tha se papunësia ka rënë për herë të parë nën 10%, duke shënuar një ulje nga 17.5% në 8.8%, dhe e shpjegoi këtë ndryshim si pasojë të rritjes së forcës së punës, jo të ikjes masive të njerëzve nga Shqipëria.
Rama e nisi fjalën e tij me një ironi të fortë për kontratën e lobimit të Partisë Demokratike në SHBA, që arrin në 6 milionë dollarë. Ai e krahasoi këtë shifër me numrin e të punësuarve të regjistruar dhe kritikoi liderin e PD-së, Sali Berisha, duke thënë: “Luli 7×7=42, tani doli dhe Bufi 7×7=6 milionë”.
Në vazhdim, ai theksoi përparimet në fushën e pagave dhe punësimit, duke nënvizuar se paga minimale ka arritur 400 euro dhe do të jetë 500 euro nga janari i vitit 2026. Ai gjithashtu premtroi se paga minimale do të arrijë 650 euro deri në vitin 2030.
Sipas Ramës, paga mesatare ka pasur një rritje të konsiderueshme, nga 322 euro në 848 euro, ndërsa pagat në sektorin publik janë rritur nga 372 euro në 1000 euro, me një tjetër rritje të planifikuar për vitin 2030. Kryeministri gjithashtu premtroi se pensioni minimal dhe mesatar në Shqipëri do të arrijë përkatësisht 200 dhe 400 euro deri në vitin 2030.

