ELBASAN– Kryeministri Edi Rama dhe numri dy i qeverisë zv.kryeministrja Belinda Balluku kanë inspektuar një nga kantierët, të vlerësuar si më të rëndësishëm të Korridorit VIII ku po ndërtohen dy tunele me 1.1 km gjatësi dhe që do të lidhin Elbasanin me Librazhdin.
Shefi i qeverisë tha se është një arterie e rëndësishme e qarkullimit dhe çliron gjithë potencialin ekonomik dhe turistik. Nga ana tjetër, Balluku theksoi se në fund të shtatorit pritet të përfundojnë edhe gërmimet. Zv.kryeministrja shtoi se e gjitha rruga bëhet bashkë me mbrojtjen lumore.
“Në një nga kantieret më të rëndësishme të Korridorit VIII ku po ndërtojmë dy tunele me 1.1 km gjatësi që do të lidhin pjesën e Elbasanit me pjesën e Librazhdit, duke u kthyer në një arterie të rëndësishme të qarkullimit si dhe duke çliruar gjithë potencialin ekonomik dhe turistik të këtyre zonave. Investimi pritet të përfundojë në fund të këtij viti, ndërkohë që pjesë e projektit është edhe ndërtimi i dy urave të cilat lidhen direkt me tunelin.”- ka thënë Rama./Radar.al


