Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë ceremonisë së hapjes së Vitit Akademik 2025–2026 në Kolegjin e Europës në Tiranë se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është një garanci për paqen dhe forcimin e Bashkimit Europian. Ai theksoi se “një Evropë e ndarë përçahet lehtë, ndërsa një Evropë e bashkuar është e pamposhtur”.
Rama u ndal te rëndësia strategjike e procesit të zgjerimit, duke e përshkruar si një filozofi historike dhe jo thjesht një procedurë teknike. Sipas tij, çdo zgjerim i BE-së ka sjellë më shumë stabilitet dhe paqe në kontinent, ndërsa ribashkimi me Ballkanin Perëndimor do t’i japë Unionit energji të reja.
Ai rikujtoi angazhimin e Selanikut dhe e cilësoi krijimin e Kolegji të Europës në Tiranë si një realitet të pakonceptueshëm disa vite më parë. Kryeministri falënderoi vendet anëtare dhe trupin diplomatik për mbështetjen përgjatë viteve, pavarësisht vështirësive dhe kundërshtive në procesin e negociatave.
Rama tha se e kupton skepticizmin e disa shteteve për mënyrën se si do të funksionojë BE-ja me një numër më të madh vendesh, duke shtuar se edhe debatet brenda Unionit janë të natyrshme. Megjithatë, ai nënvizoi se zgjerimi është i domosdoshëm: “Ribashkimi mbron Evropën nga vetja. Zgjerimi nuk ka zgjeruar vetëm BE-në, por paqen”.
Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë me reformat, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e detyrimeve, duke kujtuar edhe debatet e mëhershme me disa shtete anëtare, si Holanda. “Kërkojmë një Evropë që sheh drejt paqes. Qëndrojmë të palëkundur në rrugën tonë”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Rama u kërkoi vendeve të BE-së të lënë mënjanë egot individuale dhe të shohin drejt një Evrope të përbashkët dhe më funksionale. Ai theksoi se rëndësi ka të jesh pjesë e Unionit, jo vetëm procedurat e votimit apo vetos.
“Diktatura e fundit në Evropë ishte këtu, dhe asnjë vend si Shqipëria nuk ka kërkuar më shumë të jetë pjesë e Evropës”, tha kryeministri.

