Informohu siç duhet

“Rama 4″/ Kabineti i Ministrave të rinj dhe rikthimeve, kush janë emrat e qeverisë së re

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot qeverinë e re, “Rama 4”, duke përzier emra të rinj me rikthime të njohura. Mes ministrave ka konfirmime, por edhe figurat që marrin detyra të reja ose hyjnë për herë të parë në kabinet.

Belinda Balluku – zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
Belinda Balluku mban detyrën e zv.kryeministres që prej vitit 2022 dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë që nga janari 2019. Prej shtatorit 2013 deri në 2019, ajo ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm në Albcontrol. Balluku është diplomuar në Programin Ekzekutiv “Zhvillim Ekonomik” në Harvard Kennedy School dhe ka marrë titull nderi nga IATA për menaxhimin e shërbimeve të lundrimit ajror.

Albana Koçiu – ministre e Brendshme
Pas një mandati si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Koçiu merr drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Ajo ka lindur më 10 korrik 1977 dhe ka shërbyer si Drejtor i Departamentit të Administratës Publike prej vitit 2013. Koçiu ka drejtuar delegacionet shqiptare në procesin teknik të Reformës së Administratës Publike dhe ka qenë negociatore me Komisionin Evropian.

Elisa Spiropali – ministre për Europën dhe Punët e Jashtme
Spiropali lë postin e Kryetares së Kuvendit për të marrë drejtimin e diplomacisë shqiptare. Ajo ka mbajtur këtë detyrë që nga korriku 2024 dhe më parë ka qenë Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (2019-2024), si dhe nënkryetare e Grupit Parlamentar Socialist dhe e Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.

Petrit Malaj – ministër i Financave
Malaj vazhdon të drejtojë Financat. I lindur më 13 tetor 1978, ai ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe më parë në BDO Albania, duke marrë pjesë edhe në programe të qeverisë gjermane për tregjet e kapitalit.

Blendi Gonxhja – ministër i Kulturës dhe Turizmit
Ish-ministër i Ekonomisë, Inovacionit dhe Turizmit, Gonxhja merr drejtimin e Kulturës dhe Turizmit. Ka lindur më 15 qershor 1970 dhe ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit në Tiranë.

 

Sofjan Jaupaj – ministër i Mjedisit
Emër i ri në qeveri, diplomuar në Drejtësi dhe me studime LL.M për të Drejtën e Pronësisë Intelektuale në Itali dhe Zvicër. Ka shërbyer si Drejtor i Kabinetit të Kryenegociatorit për Integrimin në BE dhe aktualisht ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Mirela Kumbaro – ministre e Arsimit
Ministrja më jetëgjatë e Ramës, e lindur në 1966, do të drejtojë Arsimin. Ka shërbyer si Ministre e Turizmit dhe Mjedisit dhe më parë si Ministre e Kulturës, duke marrë dekorata nga Franca për kontributin në art dhe kulturë.

Evis Sala – ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Emër i ri, Sala drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike “Gemelli” dhe ka karrierë akademike në Universitetin e Kembrixhit.

Delina Ibrahimaj – ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
I lindur më 23 dhjetor 1983, ka shërbyer si Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe më parë si Drejtor i Tatimeve dhe i Institutit të Statistikave.

Besfort Lamallari – ministër i Drejtësisë
I lindur më 18 korrik 1987 në Peshkopi, ka shërbyer si Zëvendësministër i Brendshëm dhe ka studiuar në Universitetin e Oksfordit në Kriminologji dhe Drejtësi Penale.

Pirro Vengu – ministër i Mbrojtjes
Rikonfirmim në detyrë, Vengu ka lindur më 24 prill 1986 dhe ka drejtuar Autoritetin Portual Durrës, Drejtorinë e Antikorrupsionit dhe kabinetin e Ministrisë së Jashtme.

Andis Salla – ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Kryetari i Bashkisë së Cërrikut shkon në qeveri, i diplomuar në Drejtësi dhe me eksperiencë si avokat dhe Drejtor i IEVP Elbasan.

Ervin Demo – ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor
I lindur në Berat më 1982, ka shërbyer si Kryetar i Bashkisë së Beratit dhe Zv/Rektor i Universitetit të Tiranës.

Majlinda Dhuka – ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore
Rikonfirmim në detyrë, ka kryer funksione drejtuese në Kryeministri dhe Bashkinë e Tiranës në fushën e zhvillimit dhe mirëqeverisjes.

Adea Pirdeni – ministre e Shtetit për Antikorrupsionin
E lindur më 1 tetor 1983, mban postin që nga janari 2024 dhe ka shërbyer si Zëvendësministre e Drejtësisë, duke negociuar për aderimin e Shqipërisë në BE (Kapitulli 23).

Toni Gogu – ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin
Jurist me përvojë në administratën publike dhe legjislacionin e transparencës dhe qeverisjes së mirë.

Diella – shërbyesja e prokurimeve publike
Anëtarja e parë jo-fizike e qeverisë, krijuar nga Inteligjenca Artificiale, e cila do të ndikojë në ritmin e proceseve qeverisëse dhe tenderat publikë.

Exit mobile version