Një akt i jashtëzakonshëm ndershmërie ka ndodhur sot në Gjakovë. Qytetari Binak Neziri gjeti në rrugën “Tirana” një çantë me rreth 15 mijë euro para të gatshme dhe, pa hezitim, e dorëzoi në Stacionin Policor të Gjakovës.
Pas procedurave të nevojshme, çanta dhe paratë iu kthyen pronarit legjitim.
Policia e Kosovës ka vlerësuar publikisht gjestin e z. Neziri, duke e cilësuar një shembull frymëzues për shoqërinë.
“Veprimi i z. Neziri është dëshmi e vlerave të larta morale dhe qytetare. Ai ka treguar integritet dhe besim në institucionet tona, duke dhënë një shembull të rrallë në shoqërinë tonë”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
Ky gjest ka fituar mirënjohjen e komunitetit, duke rikujtuar se ndershmëria është ende një vlerë e gjallë.


