Një sasi e konsiderueshme kokaine është zbuluar në bordin e një anijeje cisternë turke në portin belg të Zeebrugge, gjatë një operacioni të fundit të policisë belge. Autoritetet kanë arrestuar tetë persona, mes tyre edhe një shtetas shqiptar.
Alarmi u dha mbrëmjen e ndalimit, kur një patrullë policore vuri re tetë burra duke lëshuar një varkë në marinën e Blankenberge. Kjo lëvizi dyshimet drejt një operacioni të mundshëm trafiku, çka çoi në verifikime më të thelluara në anijen “Scot Bremen”, e cila rezultoi të ishte e ankoruar në portin e Zeebrugge.
Zyra e Prokurorit të Flandrës Perëndimore konfirmoi zbulimin e drogës dhe arrestimet, duke shtuar se hetimet janë ende në vijim dhe nuk është e qartë nëse të dyja ngjarjet janë të ndërlidhura mes tyre.
Në mesin e të arrestuarve janë katër belgë, tre holandezë dhe një shqiptar. Anija cisternë mbetet e ankoruar në port për inspektime të mëtejshme, ndërsa autoritetet vijojnë hetimin për zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës.


