Qeveria shqiptare ka miratuar një vendim për të mbështetur financiarisht punëdhënësit që preken nga rritja e pagës minimale në vend. Vendimi parashikon kompensim financiar për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësve për periudhën kontributive janar–shtator 2026.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave i Shqipërisë me propozim të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe synon të lehtësojë kostot e bizneseve pas rritjes së pagës minimale në 50 mijë lekë.
Sipas vendimit, kompensimi do të jepet çdo muaj për subjektet që kanë punonjës me pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë, të deklaruar në listëpagesat e muajit shtator 2025. Mbështetja financiare do të mbulojë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit në masën 16.7%, të llogaritura mbi diferencën mes pagës së mëparshme dhe pagës minimale të re.
Subjektet që përfitojnë nga kjo skemë duhet të ushtrojnë aktivitet në sektorët ekonomikë të përcaktuar në nomenklaturën e veprimtarive ekonomike dhe të mos jenë në pronësi shtetërore apo ente publike. Gjithashtu, ato nuk duhet të kenë detyrime të papaguara ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve në momentin e aplikimit.
Aplikimet do të kryhen në mënyrë elektronike përmes portalit e‑Albania, duke filluar nga 1 prilli 2026 deri më 31 tetor 2026.
Verifikimi i aplikimeve do të realizohet përmes sistemeve elektronike të institucioneve përkatëse, ndërsa pagesat për subjektet përfituese do të kryhen nga drejtoritë rajonale të Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Efekti financiar i kësaj skeme për periudhën janar–shtator 2026 do të përballohet nga buxheti i shtetit në kuadër të programit “Tregu i punës”, të miratuar për vitin 2026.
Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama dhe do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

