Një shtetas shqiptar 43-vjeç, i akuzuar për tentativë vrasjeje, është arrestuar nga autoritetet italiane në kufirin e Ventimiglias, ndërsa tentonte të rikthehej nga Franca në Itali. Ngjarja ndodhi disa ditë më parë në parkingun e qendrës tregtare Gran Reno në Casalecchio, ku burri goditi me thikë një bashkatdhetar 29-vjeçar, pas një konflikti të dhunshëm për motive xhelozie që lidhen me një grua shqiptare.
Viktima ndodhet ende në spital, me një prognozë 30-ditore, por me rrezik komplikacionesh të mëtejshme. Autori ishte shpallur në kërkim nga karabinierët e zonës Borgo Panigale menjëherë pas ngjarjes, pasi kishte arritur të zhdukej.
Frika se ai mund të largohej nga vendi u vërtetua kur u kap duke hyrë nga Franca në Itali. Autoritetet italiane kishin lëshuar një urdhër paraburgimi nga prokuroria e Bolonjës. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje dhe mbajtje të armës pa leje, pasi thika e përdorur nuk ishte e regjistruar.
Hetimet për sqarimin e plotë të motivit dhe rrethanave të sulmit po vazhdojnë, ndërsa pritet që i arrestuari të merret në pyetje në ditët në vijim.

