Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në kampusin e Universitetit Utah Valley në qytetin Orem, ku aktivisti konservator amerikan Charlie Kirk ishte i ftuar për një aktivitet publik.
Sipas raportimeve të para nga Policia e kampusit, një e shtënë e vetme u qëllua drejt zonës ku po zhvillohej eventi me pjesëmarrjen e Kirk. Autori i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim.
Universiteti konfirmoi ngjarjen përmes një deklarate zyrtare:
“Një e shtënë e vetme u qëllua në kampus drejt një folësi vizitor. I dyshuari është ndaluar dhe policia po heton ngjarjen.”
Charlie Kirk, themelues i organizatës Turning Point USA, ishte në Universitet për të mbajtur një fjalim gjatë një turneu studentor. Ai njihet për mbështetjen e fortë ndaj Presidentit Donald Trump dhe ka ndjekës të shumtë në platformat sociale – mbi 5.2 milionë në X dhe 7.3 milionë në TikTok.
Pas incidentit reagoi edhe Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili postoi në rrjetet sociale:
“Lutuni për Charlie Kirk, një djalë vërtet i mirë dhe një baba i ri.”
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në opinionin publik amerikan, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivimin e sulmit dhe profilin e të dyshuarit.