Një armëpushim i brishtë u ka dhënë palestinezëve mundësinë të rikthehen në Qytetin e Gazës — por ajo që gjejnë, nuk është më shtëpia e tyre. Është një qytet fantazmë, i mbuluar nga pluhuri i rrënojave dhe kujtimeve të shkatërruara.
“Nuk di çfarë të them. Imazhet janë më të forta se fjalët: shkatërrim, shkatërrim dhe më shumë shkatërrim”, thotë Saher Abu al-Ata, teksa shikon lagjen e tij të rrafshuar.
Në shtator, ushtria izraelite nisi një ofensivë të gjerë për të pushtuar qytetin, të cilin e konsideronte si fortesën e fundit të Hamasit. Ajo që mbeti pas është një peizazh i zymtë – ndërtesa të rrënuara, spitale të shkatërruara dhe rrugë të mbuluara nga rëra e rrënojave.

Spitali i Fëmijëve dhe Onkologjisë “al-Rantisi” është kthyer në një skelet betoni: shtretër të përmbysur, vrima në tavane, pajisje të hedhura gjithandej.
Teksa ushtria u tërhoq në pozicionet e dakorduara, mijëra palestinezë marshuan drejt veriut, përgjatë rrugës bregdetare al-Rashid – në këmbë, me biçikleta apo makina të rrënuara. Disa mbanin dyshekë, batanije apo sende të mbetura nga jeta që kishin lënë pas.
Raja Salmi ishte një prej tyre.
“Ecëm për orë të tëra, me frikë në çdo hap”, rrëfen ajo. Por kur mbërriti në lagjen al-Rimal, asgjë s’ishte më si më parë.
“Shtëpia ime nuk ekziston më. Qëndrova para rrënojave dhe qava. Të gjitha kujtimet janë bërë pluhur.”

Sipas OKB-së, 92% e ndërtesave të banimit në Rripin e Gazës janë dëmtuar ose shkatërruar që prej fillimit të luftës në tetor 2023. Qyteti dikur plot jetë, sot është një hapësirë e heshtur dhe e frikshme.
“U ktheva vetëm për të parë shtëpinë,” tregon 28-vjeçari Sami Musa nga kampi i refugjatëve al-Shati. “Ajo ende qëndron, por çdo gjë përreth është e vdekur. Gaza nuk është më Gaza.”
Ndërsa Izraeli dhe Hamasi pranojnë fazën e parë të planit 20-pikësh të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, OCHA paralajmëron se situata humanitare mbetet katastrofike, sidomos në veri, ku “zia e bukës” është realitet prej muajsh.
“Ne humbëm Gazën tonë të bukur,” thotë Sami. “Dhe ende kemi frikë se mos humbasim edhe shpresën.”


